Ndërsa në teori nuk është kurrë vonë për t'i ndjekur ëndrrat, ka histori frymëzuese të cilat e dëshmojnë në praktikë se çfarë do të thotë të mos reshtësh kurrë së bëri gjëra të reja!
E tillë është edhe historia e Ylli Gramatikut, i cili është zyrtarisht studenti më i moshuar në Shqipëri! TRT Balkan bisedoi me Gramatiku për të zbuluar më shumë rreth historisë së tij.
“Unë jam i datëlindjes 1954…71 vjeç. Mbarova shkollën e mesme te Petro Nini. Kalova në fakultet, inxhinieri mekanike. Jashtë dëshirës sime. Dëshira ime ishte mjekësia faktikisht”, shpjegon Ylli.
Për shumë vite, ai ka punuar si inxhinier mekanik, derisa me ardhjen e demokracisë, vendosi ta hapë restorantin e tij në Tiranë. Që prej asaj kohe, restoranti të cilin Ylli e drejton me shumë pasion, vazhdon të funksionojë normalisht.
“Në vitin 2010 hapa një fermë, meqënëse kisha blerë një tokë në Petrelë. U investova shumë mirë në fermë; me bagëti me të gjitha proceset e fermës. Ironia ishte që pas përfundimit të fermës unë u sëmura, duke konsumuar ushqimet e gabuara për mua, me modelet e tanishme”, thotë Ylli për TRT Balkan, duke argumentuar kështu edhe motivimin kryesor pas vendimit për t’iu rikthyer studimeve.
Në moshën 69 vjeçare, ai vendos të interesohet pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, për të parë nëse mund të regjistrohej në ciklin master. Ylli shpjegon se fillimisht jo vetëm i dukej e pamundur, por nga ana tjetër hasi vështirësi edhe për gjetjen e dokumenteve të regjistrimit.
“Kur më tha një mikja ime, pedagoge këtu që do të shkojmë ta takojmë dekanin, erdha e takova, me mendimin se mbase s’bëhet gjë. Takuam dekanin, ai na dha aprovimin. Më priti shumë mirë faktikisht. Edhe më tha plotëso dokumentet e regjistrimit. Vetëm diplomën kisha të fakultetit, as notat as asgjë”, rrëfen nutricionisti.
Në këto dy vite studim, Ylli nuk ka bërë asnjë mungesë në leksione apo seminare, teksa tregon se nuk i pëlqen të shpenzojë kohë në kafene. Pas mësimit, ai drejtohet te restoranti i tij dhe, pasi menaxhon stafin, lexon dhe përgatitet për të nesërmen deri në 12 të natës.
“Dëgjoja gjëra që s'i kisha dëgjuar asnjëherë. Jashtë linjës sime, jashtë viteve. Kur shkova që u ktheva në restorant, hapa librat. Aty ishte fatale, më vinte të qaja i them unë. Shikoja gjëja që s'i kuptoja fare që do t’i mësoje.” thotë nutricionisti.
Ndër të tjerash, Ylli tregon për TRT Balkan se pasi të përfundojë studimet master, ka ndërmend të studiojë sërish, e nëse jo, të nisë një projekt tjetër nga e para.
Dhe, teksa fliste për studimet për, ai tregoi se mosha e tij ishte diçka që i bënte përshtypje të tjerëve përqark tij, e jo atij vetë.
Në filozofinë e të jetuarit dhe në mendësinë e Yllit, ne jemi aq vjeç sa ndihemi dhe sekreti është një dietë e mirë ushqimore.
Nutricionisti tregoi se ashtu si pjesa dërrmuese e shoqërisë, edhe ai ndihej vazhdimisht i lodhur, madje “i plakur”, teksa rrëfen se që prej momentit që ka nisur të ushqehet shëndetshëm, nuk është ndjerë kurrë më i ri, madje as në të njëzetat…