Një aeroplan pasagjerësh u përplas në ajër me një helikopter ushtarak dhe u rrëzua në lumin Potomac në Uashington të mërkurën në mbrëmje, raportuan autoritetet.
"Një avion rajonal i PSA Airlines Bombardier CRJ700 u përplas në ajër me një helikopter ushtarak Sikorsky H-60 ndërsa po i afrohej pistës 33 në Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit Reagan rreth orës 21:00 me orën lokale", tha Administrata Federale e Aviacionit (AFA).
Avioni, i operuar nga American Airlines, u ngrit nga Wichita, Kansas, konfirmoi gjithashtu AFA-ja.
American Airlines tha se në bordin e avionit ishin 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit.
"American Eagle Flight 5342 në rrugë nga Wichita, Kansas për në Uashington u përfshi në një aksident në DCA. Fluturimi u operua nga PSA Airlines me një aeroplan CRJ-700", tha linja ajrore.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Caroline Leavitt tha për "Fox News" se Presidenti Donald Trump është në dijeni për incidentin.
"Zoti i dhëntë paqe. Faleminderit për punën e pabesueshme që po bëjnë ekipet e shpëtimit. Unë jam duke monitoruar situatën dhe do të jap më shumë detaje kur të bëhen të disponueshme", tha Trump.
Ushtria amerikane konfirmoi se një helikopter ushtarak UH-60 nga Fort Belvoir në Virxhinia ishte përfshirë në incident.
Sipas burimeve, në helikopter ndodheshin tre ushtarë amerikanë, por mes tyre nuk kishte zyrtarë të lartë.
U raportua se helikopteri BlackHawk po merrte pjesë në një fluturim stërvitor.
Policia e Uashingtonit tha se një operacion në shkallë të gjerë kërkimi dhe shpëtimi ishte duke u zhvilluar në lumin Potomac pas aksidentit.
Aeroporti Kombëtar Reagan (DCA) ka pezulluar të gjitha ngritjet dhe uljet, duke deklaruar se "shërbimet e urgjencës po i përgjigjen një incidenti në pistën e aeroportit. Terminali mbetet i hapur".
Senatori i Kansasit Roger Marshall tha se avioni po transportonte rreth 60 pasagjerë.