Pasivizimi i adresave: Shqiptarët e Luginës përballë rrezikut të zhdukjes?!
Rajoni
3 min read
Pasivizimi i adresave: Shqiptarët e Luginës përballë rrezikut të zhdukjes?!Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është një proces administrativ që ka ndodhur kryesisht në disa zona të kësaj treve, ku shumë shqiptarë janë fshirë nga regjistrat e adresave dhe të dhënat administrative të Serbisë.
Pasivizimi i adresave: Shqiptarët e Luginës përballë rrezikut të zhdukjes?!
12 Dhjetor 2024

Imagjinoni të zgjoheni një ditë dhe të mësoni se shteti juaj nuk ju njeh më si qytetar. Jo sepse keni emigruar, as sepse jeni shpërngulur, por sepse adresa juaj është pasivizuar. Ky realitet i dhimbshëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës po zhvillohet përmes një procesi të pasivizimit administrativ që fshin shqiptarët nga regjistrat shtetërorë të Serbisë.

Çfarë është pasivizimi i adresave?

Pasivizimi i adresave është një praktikë që ka ndodhur në disa zona të Luginës së Preshevës, duke përfshirë Medvegjën dhe Bujanocin. Në thelb, ky proces fshin njerëzit nga regjistrat shtetërorë, duke i bërë ata juridikisht “joekzistentë”. Shumë banorë janë të bindur se ky veprim synon ta reduktojë artificialisht numrin e shqiptarëve në këto treva dhe të krijojë presion për largimin e tyre nga vendi.

Në anketën e zhvilluar nga TRT Balkan në Bujanoc se çka paraqet pasivizimi i adresave për ta, u përgjigjën kështu:

"Për me i hjek prej listës, po i hjekin prej listës me i shpërngul shqiptarët prej këtij vendi. Qëllimet i di shteti, por nuk janë të mira."

“Me zvogëlu numrin e popullatës, aty është qëllimi tjetër s’ka”.

“Qëllimet i di shteti për çfarë arsye i bën, mirëpo nuk janë të mira. Neve na mundon dhe e ndiejmë veten keq faktikisht”. Zëri i përfaqësuesve të shqiptarëve

Përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e përshkruan këtë proces si një formë të "pastrimit etnik":

"Në Medvegjë, pasivizimi ka sjellë një ulje drastike të shqiptarëve. Pavarësisht se këtë çështje e kam ngritur disa herë në parlament, nuk ka disponim nga Beogradi për ta adresuar."

Kamberi thekson se ky veprim është një shembull i aplikimit selektiv të ligjit, i cili gjithmonë rëndon mbi shqiptarët.

Reagimet nga Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe ndërkombëtarët

Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, thekson rëndësinë e ndërkombëtarizimit të çështjes:

"Rastet që na kanë ardhur i kemi adresuar te faktori ndërkombëtar, përfshirë Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë dhe Strasburgun. Pasivizimi është një proces që po shkakton spastrim etnik ndaj shqiptarëve të Luginës."

Edhe Shqipëria dhe organizatat ndërkombëtare e kanë dënuar këtë praktikë, duke e cilësuar si një shkelje të të drejtave të njeriut dhe standardeve për mbrojtjen e pakicave.

Një pasqyrë shqetësuese

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë vetëm 0,93% të popullsisë së Serbisë, një rënie e theksuar që pasqyron efektet e këtyre praktikave.

Pasivizimi i adresave ka pasur pasoja të rënda për shqiptarët, duke i privuar ata nga mundësia për të shfrytëzuar shërbime dhe të drejta themelore si arsim, shëndetësi e pensione, si dhe nga mundësia për të ushtruar të drejtat e tyre qytetare.

Hidhni një vështrim në TRT Global. Ndani mendimin tuaj!
Contact us