Ushtria izraelite vazhdon në ditën e 8-të duke zgjeruar sulmet e saj në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, ushtria izraelite ka kryer sulme ndaj qytetit Tulkarm dhe kampeve të refugjatëve Tulkarm dhe Nur Shams.
Kryetari i Komitetit Popullor të kampit të refugjatëve Tulkarm, Faisal Selame në një deklaratë për AA-në tha se "Dhjetëra familje u larguan me forcë nga shtëpitë e tyre ndërsa shtëpitë e konfiskuara janë shndërruar në kazerma ushtarake".
Palestinezët po përdoren si "mburoja njerëzore"
Salame tha se ushtarët izraelitë po përdorin palestinezët si mburoja njerëzore dhe se infrastruktura e kampit ka filluar të shkatërrohet nga ushtria izraelite.
Ushtria izraelite dje i zhvendosi në Tulkarm sulmet e saj të ashpra të cilat i ka kryer që nga 21 janari në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor dhe në kampin e refugjatëve në Jenin.
Në një deklaratë nga ushtria thuhet se një numër i madh i ushtarëve izraelitë kanë marrë pjesë në sulmet ndaj qytetit Tulkarm dhe kampit.
Dy palestinezë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm nga një mjet ajror pa pilot (dron) izraelit që shënjestroi një automjet në Tulkarm.
Sulmet vazhdojnë në Jenin
Ushtria izraelite vazhdon sulmet e saj në qytetin Jenin në veri të Bregut Perëndimor, të cilat i nisi më 21 janar.
Në sulmet në të cilat u vendosën në shënjestër edhe pronat palestineze, deri më tani kanë humbur jetën 16 palestinezë, mes tyre një fëmijë, ndërsa janë plagosur dhe 50 persona.
Presidenca Palestineze i bëri thirrje administratës amerikane të ndalojë "luftën, faza e dytë e së cilës filloi" me sulmet e Izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar, veçanërisht në qytetin Tulkarm pas Jeninit.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, në një deklaratë me shkrim nga Presidenca Palestineze u theksua se "Për arritjen e një paqeje të qëndrueshme që do të parandalojë konfliktet në të ardhmen, ne i bëjmë thirrje administratës së re amerikane të ndalojë ndërhyrjet izraelite që shkaktojnë vazhdimin e gjendjes destabilizuese, shqetësimit, prishjen e sigurisë".
Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në Rripin e Gazës të dielën më 19 janar, ushtria izraelite nisi të martën e 21 janarit një sulm në qytetin Jenin në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar, të cilin e quajti "Muri i Hekurt".
Ushtria izraelite po shkakton dëme ndaj infrastrukturës së transportit, ujit, energjisë elektrike dhe të komunikimit si dhe po shkatërron shtëpitë në rajon gjatë sulmeve të saj në qytetin Jenin dhe ndaj kampit të refugjatëve.