Sociale
2 minuta leximi
Kili, ndërprerja masive e energjisë elektrike prek 99 për qind të vendit
Aktivitetet bankare, financiare, minerare dhe tregtare u ndaluan në Kili, ndërsa mijëra policë dhe ushtarë janë vendosur në pika kritike për ta garantuar sigurinë publike.
Kili, ndërprerja masive e energjisë elektrike prek 99 për qind të vendit
Kili, ndërprerja masive e energjisë elektrike prek 99 për qind të vendit
26 Shkurt 2025

Kili ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të një ndërprerje masive të energjisë elektrike që ka prekur 99 për qind të vendit.

Sipas raporteve të mediave të vendit, ndërprerja e energjisë elektrike në gjithë vendin ka prekur miliona njerëz dhe ka paralizuar jetën.

Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pasi pothuajse i gjithë vendi mbeti pa energji elektrike dhe vendosi orë policore në shumë rajone, veçanërisht në kryeqytetin Santiago.

Ndërprerjet e energjisë kanë ndërprerë transportin, ndërsa në kryeqytetin Santiago ka pasur kaos të madh në trafik.

Aktivitetet bankare, financiare, minerare dhe tregtare u ndaluan në Kili, ndërsa mijëra policë dhe ushtarë janë vendosur në pika kritike për ta garantuar sigurinë publike.

Mediat lokale raportuan se energjia elektrike është rikthyer në disa zona, por si pasojë janë dëmtuar shumë pajisje shtëpiake.

- Presidenti fajëson sektorin privat për ndërprerjen e energjisë elektrike

Presidenti kilian Gabriel Boric tha në një deklaratë se kjo situatë, e cila ka dëmtuar miliona njerëz, është e papranueshme.

“Ajo që po ndodh sot na zemëron të gjithë. Jeta e përditshme e miliona njerëzve është ndikuar negativisht nga papërgjegjësia e një ose disa kompanive. Ne do të sigurojmë që përgjegjësit të japin llogari. Gjithashtu, duam që institucionet të funksionojnë siç duhet dhe kjo emergjencë të përfundojë sa më shpejt", tha Boric.

“Ne e dimë që në disa zona është rikthyer energjia elektrike, por situata është ende e paqëndrueshme. Prandaj, duhet të veprojmë me kujdes. Personeli ushtarak, policia dhe ekipet hetimore janë në terren", tha Boric, duke fajësuar kompaninë "ISA Chile" për ndërprerjen e energjisë.

- Mijëra pasagjerë të prekur

Siç tregojnë pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ndërprerja ka prekur mijëra pasagjerë që janë nisur për në punë në mëngjes.

Radhë të gjata janë krijuar në stacionet e autobusëve dhe shumë njerëz kanë pasur vështirësi të kthehen në shtëpi për shkak të ndërprerjeve në shërbimet e autobusëve dhe taksive.

Hidhni një vështrim në TRT Global. Ndani mendimin tuaj!
Contact us