Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha të mërkurën se Ankaraja nuk do të pranojë planin e presidentit amerikan Donald Trump për të pushtuar Gazën dhe për të zhvendosur me forcë popullsinë e saj dhe kërkoi që ky propozim të mos merret seriozisht.
"Ndoshta vetëm dy vende në botë e mbështesin këtë: ShBA-ja dhe Izraeli.Pjesa tjetër e botës është kundër saj", tha Fidan në një intervistë për Al Jazeera Arabic.
Ai theksoi se prioriteti i politikës së jashtme turke është reduktimi i konflikteve dhe përfundimi i luftërave në rajone si Lindja e Mesme, Kaukazi, Ballkani, Deti i Zi dhe Mesdheu, duke përfshirë rajonin e Egjeut.
“Ne ndjekim një politikë të jashtme që është konstruktive, që nuk kërcënon sigurinë e të tjerëve, respekton integritetin territorial të të gjithëve, përpiqet për zhvillimin ekonomik dhe respekton vullnetin e popullit”, shtoi ai.
Fidan kritikoi gjithashtu politikat ekspansioniste të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke paralajmëruar se Tel Avivi jo vetëm që refuzon të njohë një shtet palestinez, por gjithashtu ka ambicie më të gjera territoriale.
“Në vend që të garantojnë sigurinë për veten dhe të tjerët, ata planifikojnë të aneksojnë tokën palestineze dhe madje të pushtojnë Libanin dhe Sirinë”, tha ai.
Ai theksoi se një politikë e tillë është e paqëndrueshme.
"Amerika tani e mbështet këtë politikë të gabuar, por nuk është e qëndrueshme", tha ai.
Ai u bëri thirrje vendeve arabe që të marrin një qëndrim të vendosur kundër veprimeve të Izraelit.
Lidhur me Sirinë, Fidan ripohoi angazhimin e Ankarasë për integritetin territorial të vendit, duke deklaruar se çdo ndërhyrje, qoftë nga grupet terroriste si PKK-ja apo Izraeli, është e papranueshme dhe destabilizuese.
Fidan foli edhe për përpjekjet diplomatike të Türkiyes në lidhje me Ukrainën, duke thënë se ka shenja se lufta po i afrohet fundit.
"Po diskutohen kushtet e armëpushimit", tha ai, duke vënë në dukje se Uashingtoni dhe Moska po përgatiteshin të emëronin përfaqësues për negociatat.
"Deri në verë, ne duhet të shohim hapa konkretë drejt ndalimit të luftës në Ukrainë”, vuri në dukje ai.