Modeli i pikave të përbashkëta kufitare, i njohur si “One Stop Shop”, po implementohet gjithnjë e më shumë në rajonin e Ballkanit, duke thjeshtuar procedurat kufitare dhe lehtësuar lëvizjen mes vendeve.
Një prej marrëveshjeve më të fundit për këtë model është ajo e nënshkruar gjatë takimit ndërshtetëror ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ky model, i cili do të fillojë zbatimin nga 1 janari 2025 në dy pikëkalime kufitare, Bllacë-Hani i Elezit dhe Jazhincë-Glloboçicë, përfshin kontrollin e përbashkët të qytetarëve dhe automjeteve nga zyrtarët e të dyja vendeve në një ndërtesë të përbashkët.
Ky sistem jo vetëm që ul ndjeshëm kohën e pritjes, por gjithashtu thjeshton procedurat për qytetarët dhe bizneset, duke e bërë kalimin kufitar më efikas.
Si qëndrojnë vendet e tjera të rajonit?
Çka përfshin modeli “ONE STOP SHOP” dhe ku funksionojnë pikat e përbashkëta kufitare në vendet e rajonit, tregon analiza e TRT Balkan.
Një praktikë e ngjashme është tashmë funksionale në pikëkalimin Morinë-Vërmicë mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Shqipëria ka zbatuar gjithashtu një pikë të përbashkët kufitare me Malin e Zi në Muriqan-Sukobinë, një hap që ka përmirësuar lëvizjen mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut ka bërë progres drejt përfshirjes së këtij modeli me disa fqinj. Që nga viti i kaluar, modeli “One Stop Shop” është funksional në pikëkalimin kufitar Qafë Thanë me Shqipërinë, si dhe në Tabanoc me Serbinë.
Në vitin 2020, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi hapën pikën e përbashkët kufitare mes Bilexhës dhe Nikshiqit, duke ndjekur të njëjtin model.
Hapja e kësaj pike kufitare sipas autoriteteve është një nga një sërë projektesh të realizuara me sukses të BeH-së dhe Malit të Zi me BE-në që kushtoi mbi 2,5 milionë euro.
Me këtë sistem vendet e rajonit pretendojnë që jo vetëm të reduktojnë burokracinë dhe vonesat në kufi, por gjithashtu ndihmon në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe turizmit.