Politikë
2 minuta leximi
Ndërron jetë Bajram Qerkini, veprimtari i çështjes së personave të pagjetur
Qerkini ka qenë i angazhuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë, në mesin e cilëve është edhe djali i tij, Reshati, për fatin e të cilit nuk dihet ende.
Ndërron jetë Bajram Qerkini, veprimtari i çështjes së personave të pagjetur
Ndërron jetë Bajram Qerkini, veprimtari i çështjes së personave të pagjetur
27 Shkurt 2025

Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Qerkini, veprimtari më i vjetër në Kosovë për personat e pagjetur të periudhës së luftës.

Lajmin e ka bërë të ditur në rrjetet sociale Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

"Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëpunëtorit tonë të çmuar, Bajram Qerkini – një zë i palodhshëm në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë për personat e zhdukur. Baca Bajram, siç e njihnim të gjithë me respekt, ishte shembull i përkushtimit, durimit dhe forcës shpirtërore", ka shkruar Gara.

Qerkini ka qenë i angazhuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë, në mesin e cilëve është edhe djali i tij, Reshati, për fatin e të cilit nuk dihet ende.

"Pavarësisht dhimbjes personale që e shoqëroi për 26 vjet në pritje për të mësuar fatin dhe vendndodhjen e djalit të tij të zhdukur, Reshatit, ai nuk u ndal kurrë së angazhuari për të gjithë ata që jetonin të njëjtën plagë. Është thellësisht prekëse që ai u nda nga kjo botë pa arritur të marrë lajmin dhe të mësojë vendndodhjen e të birit – një boshllëk që e shoqëroi deri në momentet e fundit. Një dhimbje e madhe për të cilën fliste rrallë, meqë ishte shndërruar në zërin e fuqishëm të të gjitha familjeve që jetojnë me dhimbjen dhe ankthin, me zërin e viktimave të heshtura", shtoi Gara.

Ai së fundmi ishte i vendosur që Qeveria e Kosovës duhej ta kushtëzojë procesin e dialogut Kosovë-Serbi me çështjen e personave të pagjetur. Sipas tij, ndërkombëtarët kanë fakte për krimet e luftës dhe një rol të rëndësishëm e kanë ata në "mbylljen e gojës së Beogradit, i cili mundohet t'i fsheh krimet e luftës".

Varrimi i Qerkinit, sipas familjarëve, do të bëhet ditën e martë në Shipol të Mitrovicës.


Hidhni një vështrim në TRT Global. Ndani mendimin tuaj!
Contact us