Politikë
2 minuta leximi
Shqipëri, mbahet konferencë për nxitjen e pjesëmarrjes së grave në zgjedhje
Konferenca është organizuar nga Zyra e OKB-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ), ndërkohë pjesë ishin përfaqësues të institucioneve, të partive, shoqërisë civile dhe organizatave.
Shqipëri, mbahet konferencë për nxitjen e pjesëmarrjes së grave në zgjedhje
Shqipëri, mbahet konferencë për nxitjen e pjesëmarrjes së grave në zgjedhje
27 Shkurt 2025

Në Shqipëri është organizuar konferenca me temë "Nxitja e pjesëmarrjes së grave në zgjedhjet e 11 majit 2025", organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ).

Komisari Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, në fjalën e tij u shpreh se qasja për trajtimin e kësaj problematike kërkon angazhime edhe të sforcuara, sipas tij, për të garantuar barazi të grave në përfaqësimin politik.

"Numrat tregojnë që ne jemi aty ku nuk duhet të jemi dhe do duhet të punojmë edhe për të përmirësuar kuadrin rregullator, që të sigurojmë atë pozitë 'të privilegjuar' të grave. Të paktën të vendosim një standard poshtë të cilit ne nuk mund të biem", tha Celibashi.

Ai theksoi se mund t'i nxisin partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e ardhshme që të ndërmarrin disa nisma dhe vendime që shkojnë në këtë drejtim.

Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, në fjalën e saj u shpreh se me këtë aktivitet riafirmojnë angazhimin e tyre për demokracinë gjithëpërfshirëse dhe barazinë gjinore në Shqipëri.

"Pjesëmarrja e barabartë e grave në të gjitha nivelet, në komunitete dhe në institucione është një e drejtë thelbësore. Vendimmarrja ende vazhdon në duar të burrave. Nuk është thjeshtë një aspiratë globale, është një progres i domosdoshëm për të gjitha shoqëritë dhe është një objektiv i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për të siguruar pjesëmarrjen efikase dhe të barabartë për gratë dhe mundësi të barabarta për lidershipin në të gjitha nivelet e vendimmarrjes", tha ajo.

McCluney theksoi se Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në promovimin e pjesëmarrjes së grave në pushtetin qendror dhe lokal.

Pjesë e konferencës ishin përfaqësues të institucioneve, të partive politike, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare që operojnë në fushën e zgjedhjeve.


BURIMI:AA
Hidhni një vështrim në TRT Global. Ndani mendimin tuaj!
Contact us