Rajoni
2 minuta leximi
Kosovë, myftiu Tërnava uron besimtarët për muajin e Ramazanit
“Zemra e myslimanit është e përgatitur për të hyrë në atmosferën e adhurimit, për ta pastruar shpirtin përmes agjërimit”, tha myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Kosovë, myftiu Tërnava uron besimtarët për muajin e Ramazanit
Kosovë, myftiu Tërnava uron besimtarët për muajin e Ramazanit
5 orë më parë

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e ardhjes së muajit të Ramazanit.

Tërnava në një konferencë për media tha se është e natyrshme që njeriu t’i përjetojë dhe shijojë mirësitë dhe begatitë e shumta të dhuruara nga Zoti, duke përmendur se një ndër to është edhe agjërimi i muajit të Ramazanit.

“E si të mos e mirëpret besimtari ardhjen e muajit të bekuar, që është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe që konsiderohet një mundësi e madhe për t’iu afruar edhe më shumë begative të Zotit. Në këtë mënyrë, zemra e muslimanit është e përgatitur për të hyrë në atmosferën e adhurimit, për ta pastruar shpirtin përmes agjërimit, namazit, sakrificës dhe dhembshurisë për të varfrit dhe nevojtarët, për ta arritur kështu devotshmërinë dhe për të reflektuar mbi mësimet e fesë”, tha Tërnava.

Ai tha se besimtarët e mirëpresin muajin e Ramazanit për ta rikthyer pastërtinë e zemrave, shkëlqimin e shpirtrave dhe kthjelltësinë e ndërgjegjes.

Tërnava tha se Zoti e ka zbritur Kuranin në muajin e Ramazanit dhe kjo e bënë edhe më madhështor këtë muaj, si dhe bëri thirrje që besimtarët të garojnë në vepra të mira, të urdhërojnë njëri-tjetrin për të bërë mirë, të jenë të durueshëm ta ruajnë unitetin dhe të mos përçahen, të bashkëpunojnë në mirësi, urtësi dhe devotshmëri, si dhe të ruhen nga të gjitha ato mëkate që Zoti i ka ndaluar.

“Agjërimi ka shumë dobi dhe urtësi. Duke e bërë agjërimin në formën më të mirë, besimtari e fisnikëron moralin, durimin, bujarinë dhe përpjekjet në atë që e kënaq Zotin. Muaji Ramazan është një mundësi që vjen vetëm një herë në vit, andaj ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të përfitojmë prej tij, sikur të jetë Ramazani i fundit që do ta përjetojmë. Urime, shëndet dhe mbarësi për të gjithë besimtarët kudo që janë”, përfundoi myftiu Tërnava.

Hidhni një vështrim në TRT Global. Ndani mendimin tuaj!
Contact us