Egjipti ka njoftuar se bisedime intensive kanë filluar në Kajro midis palëve të përfshira në marrëveshjen e armëpushimit në Gaza, për t'i diskutuar fazat e ardhshme mes "përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar zbatimin e mirëkuptimeve të arritura."
Shërbimi Shtetëror i Informacionit në Egjipt raportoi se delegacione nga Izraeli dhe Katari kanë mbërritur në Kajro për t'i vazhduar negociatat për armëpushimin në Gaza, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve amerikanë.
Në një deklaratë zyrtare, agjencia theksoi se "palët e përfshira kanë filluar diskutime intensive mbi fazat e ardhshme të marrëveshjes së armëpushimit, mes përpjekjeve të vazhdueshme për ta siguruar zbatimin e mirëkuptimeve të arritura."
"Ndërmjetësit po diskutojnë mënyrat për të përmirësuar shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar vuajtjet e popullsisë dhe për ta mbështetur stabilitetin në rajon", shtohet në deklaratë.