Në shumë qytete të Egjiptit, veçanërisht në kryeqytetin Kajro, fenerët e përgatitur për muajin e Ramazanit u zbukuruan me dekorime dhe drita të ndryshme si çdo vit.
Fenerët, të cilët përgatiten dhe shiten për muajin e Ramazanit në vend, tërheqin interes të madh nga popullata.
Ndërsa rrugët e Egjiptit janë zbukuruar për të mirëpritur muajin e shenjtë të Ramazanit, rajoni Al-Barajil në perëndim të Kajros njihet me një traditë të veçantë që vazhdon prej afro 40 vitesh. Çdo vit, këtu projektohet dhe varet "feneri më i madh i Ramazanit në vend".
Në kuadër të kësaj tradite edhe këtë vit njerëzit u përgatitën për të pritur muajin e shenjtë duke varur fenerë gjigantë në një skenë të madhe prej druri.
Aktiviteti i cili mbahet me shumë entuziazëm mori një atmosferë karnavalesh me shfaqjet e organizuara nga popullata.
- Mesazhi mbështetës për Palestinën
Feneri gjigant i projektuar në formën e një xhamie, në njërën anë përmban frazat "Palestina në zemër" dhe "Ramadan Karim" në mbështetje të Palestinës.
Banorët e Al-Barajilit e realizojnë çdo vit projektimin e këtij feneri të madh i cili është mbi 6 metra i lartë dhe 5 metra i gjerë, duke mbledhur donacione dhe me kontributin e marangozëve, farkëtarëve, elektricistëve, gdhendësve dhe të atyre që merren me punimin e xhamave.
Muhammed Humus, i cili jeton në këtë rajon tha se kjo traditë ka nisur rreth 40 vjet më parë.
"Në të kaluarën, fenerin e bartnin në një karrocë që shëtitej nëpër rrugë të shoqëruar nga një grup njerëzish që këndonin ilahi. Por, sot po e varim me shumë festë dhe entuziazëm", tha Humus.
Fenerë të ngjyrave, modeleve dhe madhësive të ndryshme vendosen në tezga në qytete të ndryshme të Egjiptit dhe ofrohen për shitje gjatë Ramazanit që njerëzit të dekorojnë shtëpitë dhe rrugët e tyre.
- Një traditë shekullore
Tradita e "fenerit të Ramazanit" e cila daton qindra vjet më parë, mbahet gjallë edhe në shumë vende arabe, por theksohet se tradita ka nisur në Egjipt.
Rajoni Sejjiide Zejneb në Kajro njihet si qendra kryesore e shitjes së këtyre fenerëve. Të prodhuara nga materiale të ndryshme si druri, metali, plastika dhe pëlhura, fenerët prezantohen për publikun çdo vit para muajit të Ramazanit.
Pothuajse çdo familje në Egjipt ka të paktën një fener të Ramazanit. Përveç kësaj, fenerët e Ramazanit konsiderohen si një nga dhuratat më të mira të Ramazanit për familjen, të afërmit, miqtë dhe rrethin e ngushtë.