Në Shqipëri është mbajtur Konferenca e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian/Çështjet Evropiane të Shteteve Pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të Evropës Juglindore.
Në ceremoninë e hapjes së konferencës në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të Shqipërisë, delegacione të parlamenteve nga disa vende dhe ambasadorë.
Türkiye në këtë aktivitet është përfaqësuar nga delegacioni i Komisionit për Harmonizimin me Bashkimin Evropian në Asamblenë e Madhe Kombëtare (TBMM), kryesuar nga Burhan Kayatürk.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në fjalën e saj në sesionin e hapjes së konferencës u shpreh se Shqipëria ka vetëm një plan A për të ardhmen e saj, anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030.
Ajo theksoi se Shqipëria, por edhe vendet e tjera kandidate, janë vende me rrënjë, kulturë, trashëgimi dhe identitet evropian.
“Njëzetë vjet më parë, në Sarajevë, disa nga vendet tona që aspironin anëtarësimin në Bashkimin Evropian: Shqipëria, Kroacia, Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, vendosën themelimin e Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian/Çështjet Evropiane të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të Evropës Juglindore. Kjo ishte një përpjekje e përbashkët për të mbështetur njeri-tjetrin dhe për të arritur sa më shpejt qëllimin tonë të përbashkët, anëtarësimin në familjen evropiane", u shpreh Spiropali.
- "Synojmë përfundimin e procesit të negociatave brenda vitit 2027"
Ajo shtoi se mbështetja popullore për anëtarësimin në BE në Shqipëri është më e madhe se në çdo vend tjetër kandidat.
“Shqipëria ka shpallur aktualisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030 si një objektiv strategjik kombëtar. Ndërkohë, ne synojmë përfundimin e procesit të negociatave brenda vitit 2027. Është një plan ambicioz, por edhe një qëllim plotësisht i arritshëm. Realizimi i këtij objektivi është prioriteti numër një i Kuvendit të Shqipërisë", tha Spiropali.
Spiropali tha ndër të tjera se për të përballuar me sukses sfidat e negociatave po rrisin rolin kontrollues të Kuvendit, sipas saj, për të garantuar përmbushjen e kritereve të vendosura për hapjen dhe mbylljen e grup-kapitujve, monitorimin e procesit në bashkëpunim me grupet e interesit, shoqërinë civile dhe aktorë të tjerë jopolitikë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, në fjalën e tij u shpreh se ky forum ka luajtur dhe vijon të luajë një rol thelbësor në përcaktimin e të ardhmes evropiane të rajonit.
“Sot këtu ne riafirmojmë angazhimin e përbashkët për integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe ndërtimin e një rajoni të qëndrueshëm, të begatë dhe të bashkuar. Formati i këtij takimi ka dëshmuar vlerën e pazëvendësueshme si një hapësirë dialogu duke nxitur mirëkuptimin e ndërsjellë dhe duke forcuar rolin e parlamenteve në proceset e integrimit në BE", tha Hasani.